Shkolla Barleti për Çështje Publike - BSPA

Pse kjo Iniciativë?
Shërbimi publik, si funksion i pandarë i administratës së shteteve të Ballkanit Perëndimor (BP), po përballet në mënyrë progresive me procesin e përshtatjes dhe të implementimit (zbatimit) të praktikave më të mira ndërkombëtare, pjesë kjo edhe e integrimit evropian të këtyre vendeve. Një ndër faktorët më të rëndësishëm që ndikon në nivelin e performancën dhe zhvillimin e administratës të këtyre vendeve, është mungesa e nëpunësve të specializuar. Aftësimi i vazhdueshëm dhe në cilësinë e duhur i punonjësve të shërbimit publik është një ndër kriteret, që duhen përmbushur për pranimin e Shqipërisë në BE. Për këtë arsye, procesi i ndërtimit të një administrate publike me profesionistë të përgjegjshëm për rolin me integritet në shoqëri dhe të lirë nga ndërhyrjet politike, përbën një nga prioritetet dhe synimet evropiane të Shqipërisë. Përparime janë bërë në përmirësimin e legjislacionit dhe politikave administrative në rajon, në matjen dhe vlerësimin e performancës së nëpunësit civil, si dhe në zhvillimin e skemave të motivimit dhe karrierës së tij.

Në mbështetje të këtyre sfidave lind nevoja e një infrastrukture arsimore, e cila synon të ofrojë zgjidhjet e duhura për të gjitha të panjohurat dhe sfidat, që kërkon ndërtimi i një administrate moderne e cila do të jetë e përgatitur për ti shërbyer më mirë qytetarit dhe më afër standardeve evropiane. Shkolla Barleti për Çështje Publike ofron diploma të akredituara dhe programe që i shërbejnë aspiratave për trajnimin e nëpunësve civil për një administratë publike evropiane.

Përmbushja e kësaj nevoje në përmasa shumëdimensionale dhe dinamike, sikurse diktojnë proceset integruese për administratën publike, në nivel qendror apo lokal, kërkon një organizim të përkushtuar dhe energjik në arsimim dhe trajnim të vazhdueshëm. Të tilla cilësi janë përparësi të një institucioni privat, prandaj Universiteti Marin Barleti vendosi çeljen e Shkollës Barleti për Çështje Publike si një iniciativë e re që për herë të parë në Shqipëri do të ofrojë një platformë të akredituar dhe moderne për arsimimin dhe trajnimin e vazhdueshëm dhe dinamik të nëpunësit civil, përmes kurrikulave të harmonizuara dhe personalizuara. Puna kërkimore-shkencore do të jetë pjesë integrale e çdo programi. Një iniciativë e tillë kërkon partneritetet e duhura, me përvojë të mjaftueshme dhe histori suksesi në këtë fushë.

  • Marrëveshja që Universiteti Marin Barleti ka me Universitetin e Arkansas, Shkolla  Klinton e Shërbimeve Publike, mundëson përfshirjen në procesin e mësimdhënies dhe konsulencës në Shqipëri të një numër akademikësh të spikatur në çështjet e Shërbimit Publik.
  • Universiteti Marin Barleti, në bashkëpunim me institucione të njohura akademike ndërkombëtare në Administratën Publike, zhvillon  programe trajnimi për të përmbushur nevojat e shërbimit  civil. Këto programe janë formësuar sipas kërkesës së interesave të veçanta të shërbimit civil dhe çështjeve te administratës publike.
  • Metodologjia e kursit me porosi konsiston në kombinimin organik të seminareve dhe prezantimeve të ilustruara nga ekspertë të njohur ndërkombëtarë të fushës, si dhe diskutime për  shkëmbimin e njohurive, ideve dhe përvojave mes pjesëmarrësve. Udhëzuesi i metodave të vlerësimit lejon që teknikat dhe këshillat për përmirësime në punën e përditshme të pjesëmarrësve të diskutohen dhe të analizohen, duke u ilustruar me shembuj dhe raste studimore nga praktikat më të mira dhe efektive.